Mbrojtja e Erion Veliajt: Procesi nuk mund të vijojë pa garantuar akses të plotë në dosje

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2025, 17:00 | Kronikë

Mbrojtja e Erion Veliajt: Procesi nuk mund të vijojë pa garantuar

Mbrojtësit ligjorë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, reaguan të shtunën pas njoftimit të SPAK të datës 5 dhjetor 2025, duke theksuar se procesi gjyqësor ndaj klientit të tyre nuk mund të ecë përpara pa u garantuar më parë e drejta kushtetuese e njohjes së plotë me aktet e dosjes.

Në deklaratën e shpërndarë për mediat, avokatët nënvizuan se njohja reale, jo formale, me materialet e çështjes është “kusht themelor për ushtrimin e një mbrojtjeje efektive”, duke iu referuar nenit 31 dhe nenit 42 të Kushtetutës së Shqipërisë. Ata theksuan se e drejta për kohën dhe lehtësitë e nevojshme në përgatitjen e mbrojtjes është një standard i panegociueshëm në çdo sistem demokratik.

Sipas mbrojtjes, kërkesat për shtyrje të seancave janë bërë vetëm për shkak të pamundësisë objektive për të studiuar një dosje prej rreth 60 mijë faqesh brenda afateve të vendosura nga gjykata. Avokatët argumentuan se, duke iu referuar ritmeve standarde të leximit, shqyrtimi i plotë i materialeve do të kërkonte “20–40 avokatë me kohë të plotë për 30 ditë”, çka e bën detyrën praktikisht të parealizueshme.

Më tej, mbrojtja thotë se pavarësisht angazhimit intensiv dhe qindra orëve të punës, z. Veliaj ende nuk ka në dispozicion të gjitha provat e dosjes, gjë që sipas tyre bie ndesh me standardet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe elementin e “mbrojtjes efektive”.

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me pranimet publike të Prokurorisë për kryerjen e veprimeve hetimore “jashtë afatit formal”, të cilat, sipas mbrojtjes, ngrenë dyshime të ligjshme mbi përputhjen e materialeve të prokurorisë me dosjen e depozituar në gjykatë. Për këtë arsye, avokatët kërkojnë akses të plotë, të detajuar dhe të garantuar në dosjen gjyqësore mbi të cilën do të zhvillohet procesi.

Mbrojtja e Veliajt i bëri thirrje SPAK-ut të fokusohet në detyrimet ligjore brenda sallës së gjyqit dhe jo në deklarata publike, ndërsa nga gjykata kërkoi garantimin e standardeve kushtetuese. “Çdo devijim nga këto standarde”, – thuhet në deklaratë – “do ta kthente procesin në një ushtrim formal, duke cenuar qëllimin themelor të tij: realizimin e drejtësisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos