Gjykata Kushtetuese ka vendosur të lerë të pandryshuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Fatjon Karmeshtnës, i fajësuar për vrasjen e një gruaje në Melgushë të Shkodrës, prillin e vitit 2016.
Karmeshtna është shpallur fajtor në tre shkallët e gjykimit për vrasjen e Suela Sulës, bashkëshortes së Sadetin Sulës, pronarit të moblierisë ku ishte i punësuar, me urdhër të këtij të fundit.
Në Kushtetuese 42 vjeçare Karmeshtna kërkoi shfuqizimin e tre vendimeve gjyqësore, duke pretenduar se gjykatat e faktit nuk kanë kryer një hetim të plotë e të gjithanshëm, se nuk kanë marrë në konsideratë prova të kërkuara prej tij dhe se kanë krijuar bindjen në prova imagjinare e jo të marra sipas ligjit.
Në shqyrtimin paraprak të ankimit, një Kolegj 3 anëtarësh i Kushtetueses vlerësoi se pretendimet e Karmeshtnës për cenim të të drejtave kushtetuese ishin haptazi të pabazuara dhe vendosi të mos e kalojë çështjen në gjykim, duke lënë kështu në fuqi dënimin me burg përjetë ndaj tij.
Fatjon Karmeshtna u arrestua në vitin 2018, gati dy vjet pasi Suela Sula u gjend e pajetë në tualetin e mobilierisë në pronësi të bashkëshortit të saj Sadetin Sula. Fillimisht për krimin u dyshua vetëm biznesmeni Sula, por më pas rezultoi se ai ishte organizator.
Mbytja e gruas me duar e mjete të tjera ishte bërë me urdhër të tij nga punonjësi i mobilierisë. Në gjykim u provua se materiali gjenetik i gjetur në thonjtë e viktimës, përputhej me ADN-në e Karmeshtnës.
Sipas gjykatës, krimi kishte ardhur pas një marrëdhënieje të acaruar në çift për motive xhelozie nga ana e Sadetin Sulës, i cili planifikoi vrasjen e të shoqes, që ajo të mos përfitonte pasuri në rast divorci. Për të njëjtin krim, Sadetin Sula, po vuan një dënim me burgim të përjetshëm. (A2 Televizion)