
Zbulimi në Selitë i një call center-i ku mashtroheshin shtetas të huaj, përmes telefonatave, për të investuar në bursa fiktive, ka çuar pas hekurave tre persona dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se gjatë ndërhyrjes në këtë ambient u kapën duke kryer veprime të pa ligjshme, 5 shtetas, mes të cilëve u ndalua menaxheri dhe 2 punonjës, ndërsa u proceduan penalisht 2 punonjëse.
“Gjatë operacionit policor të koduar “Wrong call”, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në një ambient në Selitë, që ishte përshtatur si call center. Në këtë ambient, janë kapur në flagrancë shtetasi K. S., i dyshuar si menaxher i kësaj veprimtarie, dhe 4 punonjës, të cilët mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive. Nga hetimet dyshohet se ambienti ishte marrë me qira nga shtetasit E. S. dhe A. K. me qëllim për ta përdorur për këtë veprimtari të kundërligjshme”, njofton policia.
Në vijim të veprimeve procedurale:
-u arrestua në flagrancë shtetasi Klaudio Sulejmëni, 25 vjeç;
-u arrestuan shtetasit Franko Karemani, 24 vjeç dhe Eriglen Arapi, 25 vjeç, punonjës;
-nisi procedimi penal për shtetaset E. Sh., 22 vjeçe dhe E. Z., 19 vjeçe, punonjëse;
-u shpallën në kërkim shtetasit E. S., 34 vjeç (vëllai i Klaudio Sulejmëni) dhe A. K., 35 vjeç. (A2 Televizion)
