Në një valë të re mashtrimesh kibernetike, qytetarët shqiptarë janë bërë sërish objektiv i skemave që synojnë vjedhjen e të dhënave bankare.
Këtë herë, mesazhe të rreme që pretendojnë se vijnë nga Posta Shqiptare janë përhapur përmes email-eve dhe rrjeteve sociale, duke udhëzuar përdoruesit të klikojnë mbi një link të rrezikshëm, shkruan A2.
“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të bllokuar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare. Domaini i rrezikshëm është raportuar dhe dërguar për bllokim te AKEP”, shkruan AKSK.
Skema nuk ka lidhje me ndonjë aktor të sponsorizuar apo organizatë të caktuar, por është një tjetër tentativë mashtruese e njëjtë me ato që janë hasur më parë, të cilat përdorin emrin e institucioneve të besueshme për të fituar akses në të dhënat personale dhe kartat e kreditit: “Kjo fushatë nuk ka lidhje me një aktor të sponsorizuar specifik, por është një tjetër përpjekje për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit, njësoj si rastet e mëparshme që janë hasur nga imitues të Postës Shqiptare”.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u bën thirrje qytetarëve të mos hapin apo klikojnë mbi lidhje të dyshimta dhe të verifikojnë gjithmonë burimin e çdo njoftimi që kërkon të dhëna bankare apo personale. Rasti është një tjetër kujtesë për rreziqet që fshihen pas një klikimi të vetëm. (A2 Televizion)