"Metamorfoza", Apeli lë në sekuestro 3 pasuritë në bregdet të Pëllumb Gjokës

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2023, 16:16 | Kronikë

Gjykata e Posaçme e Apelit nuk liroi nga masa e sekuestros tre pasuri të patundshme të biznesmenit Pëllumb Gjoka, një nga të arrestuarit e operacionit të koduar “Metamorfoza”, korrikun e këtij viti. Ai u prangos si pjesë e një grupi kriminal të zbuluar pas zbërthimit të komunikimeve elektronike në aplikacionin SKY ECC.

Në Apel biznesmeni kundërshtoi masën e sekuestros ndaj pasurive në fjalë, tre sipërfaqe pylli në zonën Pulaj-Plazh, Velipojë Shkodër, gati 390 mijë metër katrorë në total. Kërkesa e tij nuk bindi gjykatën, që la të pandryshuar vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë. Tre pasuritë e Gjokës u sekuestruan me kërkesë të SPAK, që ka ngritur dyshime se pasuritë në fjalë, që figurojnë në emër të një personi dhe dy shoqërive tregtare janë përfituar nga Gjoka përmes falsifikimit të dokumenteve.

Ndërkohë, biznesmeni Gjoka po hetohet nga SPAK, për një sërë veprash penale, mes të cilave “grup i strukturuar kriminal”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos