Ministria e Brendshme nuk lëvron fondin, efektivët e FNSH Tiranë, pa u paguar dietat prej dy muajsh

Nga Igli Çelmeta
22 Tetor 2025, 23:30 | Kronikë

Që prej datës 15 gusht, efektivët të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë nuk u janë paguar dietat.

Reparti i FNSH Tiranë përbëhet nga mbi 200 efektivë, të cilët kryejnë shërbime të shpeshta jashtë kryeqytetit, shpesh në operacione ndihmëse ndaj komisariateve të tjera në rrethe.

Sipas burimeve, pagesat për dietat kryhen vetëm pasi miratohet fondi përkatës nga Ministria e Brendshme, por prej më shumë se dy muajsh ky proces është pezulluar. Efektivët po detyrohen të mbulojnë vetë shpenzimet për ushqim, akomodim dhe transport gjatë shërbimeve jashtë Tiranës, shkruan A2 CNN.

Ligji parashikon që punonjësit e policisë të marrin 55 mijë lekë të vjetra në ditë për çdo shërbim jashtë vendbanimit, shumë që mbulon hotelin, ushqimin dhe nevojat bazë. Jo vetëm që këto pagesa nuk janë kryer, por sipas ligjit dhe rregullores, efektivët duhet t’i marrin paratë paraprakisht përpara se të nisen në mision, gjë që në praktikë nuk po ndodh, por të paktën të paguhen 2 muajt që kanë kaluar.

Situata ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e policisë, pasi shumë prej tyre thonë se tashmë shërbimet po u kushtojnë nga xhepi, ndërkohë që pritet një reagim apo zgjidhje nga Ministria e Brendshme për zhbllokimin e fondit të dietave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos