Sherri në këshillin bashkiak të Pogradecit, banori: Nuk do ta lëmë këtu

Nga A2 CNN
10 Nëntor 2025, 15:24 | Kronikë

Sherri në këshillin bashkiak të Pogradecit, banori: Nuk do ta

Miratimi i pikës 6 të rendit të ditës për “miratimin e listës së sipërfaqes së tokës prej 34.660 ha në Çërravë, e cila mund të jepet me qira”, ka sjellë tensione të forta në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Pogradecit.

Pas debateve të ashpra mes këshilltarëve dhe kundërshtimeve të vazhdueshme nga banorët e pranishëm në sallë, propozimi është miratuar me 20 vota pro, vendim i cili ka shkaktuar agravim të situatës dhe tensione që kanë degjeneruar deri në përplasje fizike.

Menjëherë pas miratimit të projekt-vendimit, njëri prej këshilltarëve bashkiakë, Engjëll Shyti, është ngritur nga tavolina dhe është përfshirë në një konfrontim fizik me Kevi Muçollarin, një nga banorët e fshatit Çërravë, i pranishëm në sallë për të kundërshtuar vendimin.

Ngjarja ka sjellë ndërhyrje të menjëhershme për qetësimin e situatës, ndërsa mbetet e paqartë nëse do të ketë pasoja ligjore apo masa ndaj të përfshirëve në incident.

Pas ngjarjes, Muçollari është shprehur se këtë vendim nuk do ta lënë me kaq, por do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore.

“Pati një moment tensioni, pasi anëtari i këshillit bashkiak, Engjell Shyti, u ngrit edhe na kërcënoi për shkak të asaj që thash unë. Ne ishim kundër atij vendimi dhe për këtë i paraqitëm të gjitha argumentet. Kryetari i bashkisë tha, këto janë teka, është e pavërtetë.

Ne nuk kemi për ta lënë këtu këtë punë dhe këshilltarët që kanë mbajtur këtë qëndrim, turp të kenë. Ata që kanë mbajtur këtë qëndrim, ata që e ndryshuan më vjen shumë keq që ishin të detyruar të ishin përballë kësaj situate.

Praktikisht kjo punë nuk ka për të mbetur këtu. Ne do ta vazhdojmë ta ndjekim këtë çështje në të gjitha hallkat. Ne do të luftojmë se komuniteti atje është i prekur”, tha Kevi Muçollari.

Banorët e Çërravës kanë shprehur pakënaqësi ndaj vendimit, duke e konsideruar atë cenim të interesave të tyre dhe kanë paralajmëruar për përshkallëzim të protestave nëse nuk rishikohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos