Mori ryshfet për dosjen “Toyota Yaris”, pezullohet nga detyra kryeprokurori i Vlorës

Nga A2 CNN
31 Korrik 2024, 12:13 | Kronikë

Drejtuesi i prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili u arrestua të hënën nga SPAK nën akuzën për "korrupsion" dhe "ushtrim të ndikimit të paligjshëm" është pezulluar nga detyra.

Vendimi u mor këtë të mërkurë në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku votuan pro vendimit 8 anëtarët që morën pjesë.

Zarka bashkë me ish-oficeren e Policisë Gjyqësore, Erion Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe Astrit Vladin, akuzohen se kanë ndërhyrë, marrë ryshfet dhe dhënë ryshfet funksionarëve në 8 çështje penale, 4 nga të cilat lidhen me dosjen “Toyota Yaris”, por edhe hetimin pasuror ndaj Suel Çelës.

Sipas hetimit të drejtuar nga prokurori Klodian Braho, katër nga çështjet penale, që dyshohet të jenë gjetur zgjidhje përmes ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit, i përkasin dosjes së shumë lakuar “Toyota Yaris” të vitit 2018, kur ish-prokuroria për Krimet e Rënda hetoi rastin e një shumë prej 3.4 milionë euro të bllokuara në Portin e Durrësit në bordin e një automjeti “Toyota” të mbërritur nga Belgjika.

SPAK pretendon se ka dokumentuar ndërhyrje në hetimin e parë ndaj Alfred Vladit, Elvis Vladit e Alban Mollaymerit të akuzuar për “pastrim parash” e “grup kriminal” në ish-Prokurorinë për Krimet e Rënda, si dhe në hetimin e të njëjtës çështje kur kaloi për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës për akuzën e “mosdeklarimit në kufi të të hollave”, duke përfshirë seancën për ndryshimin e masave të sigurimit, fazën e caktimit të gjyqtarit të seancës paraprake dhe seancës paraprake.

Po për dosjen “Toyota Yaris” të dyshuarit akuzohen se kanë ndikuar në ekzekutimin e disa letër-porosive të dërguara në Belgjikë për rastin, e po ashtu në hetimin pasurisë ndaj tre të akuzuarve. Referuar njoftimit zyrtar të SPAK, korrupsion dhe ndikim nga të dyshuarit është bërë edhe për hetimin pasuror të vitit 2020 për llogaritë operacioni forca e Ligjit ndaj pasurive të Suel Çelës, i shpallur në kërkim nga operacioni “Plumbi i artë”, një çështje penale për “vjedhje” të shqyrtuar në Gjykatën e Tiranës, mosfillimin e hetimit për një referim të bërë nga Policia e Himarës në Prokurorinë e Vlorës, si edhe një çëshje ndaj një të akuzuari për “kultivim të narkotikëve” në Gjykatën e Vlorës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos