
GJKKO ka shpallur fajtore dhe ka dënuar me 1 vit burg avokaten Erida Laizmi për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në njoftim thuhet se ajo ka përfituar uljen e 1/3 së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar duke u dënuar me 8 muaj burg. Në bazë të nenit 59 pezullohet vendimi me burgim, dhe e pandehura dënohet me 16 muaj shërbim prove.
Kujtojmë që Lazimi u akuzua nga SPAK për ndikim të paligjshëm ndaj një gjyqtari.
VENDIMI
Deklarimin fajtor të të pandehurës Erida Lazimi, për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe bazuar në nenin 245/1, paragrafi i 2 (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43 të vitit 2021) të Kodit Penal dënimin e saj me 1 (një) vit burgim.
Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurës Erida Lazimi, i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe, përfundimisht dënohet me 8 (tetë) muaj burgim. Në bazë të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurës Erida Lazimi për një afat prove prej 16 (gjashtëmbëdhjetë) muaj, gjatë së cilës e pandehura duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale.
Afati i provës fillon pas marrjes formë të prerë të vendimit, nga momenti i kontaktit të parë të të pandehurës me shërbimin e provës. 2. Shpenzimet proceduriale, të kryera gjatë hetimit paraprak në shumën 44 207 (dyzetë e katër mijë e dyqind e shtatë) lekë i ngarkohen të pandehurës Erida Lazimi në mënyrë solidare me bashkëpandehurit e tjerë të të njëjtit procedim nr. 26, të vitit 2024 të Prokurorisë së Posaçme, si dhe ato të gjykimit, sipas procesverbalit të shpenzimeve bashkëngjitur këtij vendimi i ngarkohen të pandehurës Erida Lazimi. (A2 Televizion)