Nga dreka, te plumbat që u morën jetën në makinë. Detajet nga atentati në Lezhë

Nga A2 CNN
26 Prill 2026, 17:46 | Kronikë

Shtetasi Kreshnik Mujeci, 39 vjeç, banues në Torovicë, dhe bashkëshortja e tij, Gentiana Mujeci, 32 vjeçe, gjithashtu banuese në Torovicë, janë viktimat e atentatit të sotëm në rrugën Balldren-Torrovicë, në Lezhë.

Gazetari i A2CNN, Igli Çelmeta, solli detajet e atentatit nga vendngjarja: “39-vjeçari dhe bashkëshortja e tij po lëviznin me një automjet tip Audi Q7. Automjeti është bërë shoshë nga plumbat, ku nga verifikimet paraprake, sipas grupit hetimor, është qëlluar mbi 30 plumba në drejtim të makinës ku udhëtonin burrë e grua. Sipas verifikimeve dhe hetimeve paraprake nga grupi hetimor, dyshohet se autorët kanë lëvizur me dy mjete, pasi kanë vëzhguar dhe monitoruar pothuajse të gjitha lëvizjet e viktimës ditën e sotme”.

Sipas gazetarit, “ende policia nuk ka prova për automjetin që kanë përdorur autorët, edhe pse në vendin e ngjarjes ka kamera sigurie të cilat mund të ndihmojnë grupin hetimor për identifikimin e dy automjeteve të përdorura nga autorët e kësaj ngjarje të rëndë”.

Në lidhje me viktimën, gazetari Çelmeta theksoi: “Krishnik Mujeci është një personazh jo i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi rezulton me preçedent të mëparshëm penal”.

“Kreshnik Mujeci, sipas të dhënave zyrtare nga autoritetet, është arrestuar në vitin 2016 së bashku me vëllanë e tij për vrasjen e Genc Mëhillit. Më pas, në vitin 2018, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e shpalli të pafajshëm për këtë vrasje, duke pretenduar për mungesë provash. Por, në 6 nëntor të vitit 2019, Gjykata e Apelit në Shkodër vendosi të mos pranojë ankimimin e prokurorisë për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, ndërsa Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për rigjykim në datë 30 tetor të vitit 2024. Por, policia po heton të gjithë pistat e mundshme. Për këtë ngjarje të rëndë po hetohet edhe pista e konflikteve të fundit të mundshme të 39-vjeçarit Kreshnik Mujeci, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë dhe në aktivitete të tjera të paligjshme në fushën e narkotikëve, por edhe konflikte të tjera të mundshme të ndodhura midis viktimës dhe personave të tjerë”, shtoi më tej Çelmeta.

Mësohet se “39-vjeçari dhe bashkëshortja e tij ka qenë duke drekuar në një restorant dhe autorët i kanë vëzhguar që në momentin që kanë dalë nga ambientet e lokalit”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos