
Është zhvilluar sot në Pallatin e Kongreseve finalja e Festivalit Kombëtar të Shkencës, një nismë që synon të rrisë cilësinë e arsimit përmes nxitjes së inovacionit dhe kërkimit shkencor tek të rinjtë. Në këtë aktivitet morën pjesë mbi 6 mijë nxënës nga rreth 300 gjimnaze në të gjithë vendin, të cilët prezantuan projekte kërkimore, eksperimente dhe zgjidhje teknologjike, shkruan A2 CNN.
Çmimin e parë e fitoi gjimnazi “Zhani Ciko” nga Patosi, me një projekt inovativ që ndërthur teknologjinë me natyrën dhe thekson rëndësinë e bletëve për mjedisin dhe jetën. Projekti u vlerësua për qasjen kreative dhe mesazhin e tij mbi qëndrueshmërinë.
“Është një emocion i papërshkrueshëm që të vlerësohesh për një mund kaq të madh për një projekt, i cili është vërtetë për t'u përgëzuar. Është një projekt i cili flet për bletët. Ne e dimë që bleta është shumë e rëndësishme për jetën tonë dhe nga vetë shprehja e Einstein që thotë: “Nëse bletët zhduken do të zhdukemi bashkë me to”, dhe më lejoni të jap një mesazh: “Mbillni një lule, shpëtoni një bletë”, pasi kjo është e ardhmja. Ne duam të ndërthurim teknologjinë me natyrën për të sjellë jo vetëm risi, por edhe inovacion në të gjithë tregun jo vetëm bujqësor, por edhe pse jo ta shtrijmë këtë projekt më gjerë”, tha një nga nxënësit e shkollës Zhani Ciko, shkruan A2 CNN.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe theksoi rëndësinë e investimit në dije dhe teknologji si çelës për zhvillimin e vendit.
“Patosi është një qytet i vogël, por ky çmim i parë tregon atë çka kjo kohë e re e teknologjisë ka sjellë për të gjithë pavarësisht pozicionit të tyre gjeografik, pavarësisht nëse jetojnë në një shtet të madh apo të vogël, pavarësisht nëse jetojnë në një qendër apo në një periferi, mjafton dija, mjafton fuqia e ëndrrës dhe mjafton vullneti së bashku me një smartphone apo një kompjuter për të sunduar fatin edhe për të ndryshuar botën. Dhe shembulli i vajzave dhe djemve nga Patosi është një shembull kuptimplotë i këtij festivali”, u shpreh Rama teksa u dorëzoi çmimin.
Festivali Kombëtar i Shkencës, i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe partnerë ndërkombëtarë, synon të krijojë një kulturë të re në arsim, duke inkurajuar të rinjtë të zhvillojnë ide inovative dhe t’i zbatojnë ato në praktikë. (A2 Televizion)