Policia e Shtetit publikoi bilancin mujor të punës për nëntorin, ku një ndër treguesit kryesorë ishin gjobat e vendosura nga Policia Rrugore.
Vetëm gjatë muajit nëntor janë ndëshkuar 115,470 automjete në gjithë vendin. Në Shqipëri janë rreth 1 milion mjete të regjistruara, por vetëm gjysma e tyre qarkullojnë çdo ditë. Kjo do të thotë se, me një llogari të thjeshtë, 1 në 4 makina është gjobitur brenda një muaji, shkruan A2.
Shkeljet më të shumta lidhen me parkimin e gabuar, ndërsa pjesa tjetër me tejkalim shpejtësie, përdorim të celularit dhe mosvendosje të rripit të sigurimit. Shuma minimale e gjobave nis nga 2 mijë lekë, dhe duke marrë një mesatare prej rreth 2,500 lekësh për çdo gjobë, rezulton se vetëm gjatë nëntorit qytetarët me automjete janë gjobitur rreth 2.8 milionë euro.
Megjithëse numri i gjobave është i lartë, aksidentet rrugore jo vetëm që nuk po ulen, por po shënojnë rritje. Shifrat në terren tregojnë se ndëshkimet e shumta nuk mjaftojnë kur mungon edukimi rrugor, kontrolli cilësor i qarkullimit dhe infrastruktura e sigurt.
Ndërkohë, qytetarët kërkojnë që gjobat të mos kthehen në qëllim në vetvete, por të shoqërohen me masa parandaluese, patrullim të shtuar në oraret e trafikut të rënduar dhe vendosjen e sinjalistikës aty ku mungon. Sepse pavarësisht shifrave dhe ndëshkimeve, qëllimi i vetëm duhet të jetë ulja e aksidenteve dhe shpëtimi i jetëve në rrugë. (A2 Televizion)