Gazetari Artan Hoxha deklaroi se në vendin tonë ka pasur një rast që gjykata ka vendosur garanci pasurore 1 milion euro për lirim nga burgu. Sipas tij, bëhet fjalë për një nga rastet më të rralla në rajon.
“Kemi një rast që është dhënë masë sigurie me 1 milion euro, që është nga rastet më të rralla në Ballkan. Nuk di të ketë në rajon garanci 1 milion euro. Kam parë vende fqinje, përfshi edhe Kosovën. Kishin një zyrë ku njerëzit shkonin dhe depozitonin garancitë pasurore. Praktika e tyre ishte te garancitë pasurore sesa te paraburgimi. Sepse nëse e fut në burg një person, paguajnë taksa edhe qytetarët. Le pastaj kur fut mosha të reja në burg, që po i “trajnon” për krimin e organizuar. Nuk lihen në të njëjtin sektor të burgut 18-vjeçarët me bosët e krimit sepse praktikisht po i jep diplomën”, tha Hoxha në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Ndërhyrja e Kryeministrit në Kodin Penal ka një problematikë, sepse po bëhet në një moment kur po ndodh një situatë që ka të bëjë me pushtetin e tij. Ai ka hallin që po i përfundon e gjithë administrate në burg. Unë jam me parimin që burgu është pasi të merret vendimi. Kurse ne të çojmë në paraburgim dhe pastaj të dënojmë”, shtoi gazetari. (A2 Televizion)