“Nuk blihet liria me para”, ish-prokurori tregon si do të ndryshojë Kodi i Procedurës Penale

Nga A2 CNN
30 Shtator 2026, 21:31 | Politikë

Ish-prokurori Eugen Beci e konsideron një ndryshim të rëndësishëm paketën e re të propozuar sot nga kryeministri Edi Rama për Kodin e Procedurës Penale, duke theksuar se nëse miratohet, ajo do të krijojë një ekuilibër më të madh mes mbrojtjes dhe prokurorisë.

Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai tha se Ministria e Drejtësisë ka reflektuar në ndryshimet e propozuara edhe vendime të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht për masat e sigurimit dhe administrimin e provave digjitale.

“Pra, vendimin e Gjykatës Lartë mbi masat e sigurimit janë përpjekur ta shkrijnë në kodin e procedurës penale dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e marrjes së provave digjitale që ka lidhje me raportin që duhet të ketë policia gjyqësore dhe prokurori me telefonin. Vendimin e Gjykatës Lartë mbi masat e sigurimit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për celularët kjo është një gjë shumë pozitive”, u shpreh ish-prokurori, në Off the Record em Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ish-prokurori vlerësoi pozitivisht edhe përcaktimin e rregullave për marrjen dhe fiksimin e provave digjitale, si dhe garancitë e shtuara për mbrojtjen.

“Pozitive është në konceptin e ndërhyrjes së marrjes së provave digjitale, mënyrën si fiksohet një provë digjitale. Sa i përket garancive që i jepet mbrojtjes janë shumë të rëndësishme se krijojnë proces të rregullt ligjor”.

Një tjetër element i rëndësishëm, sipas tij, është rishikimi i kritereve për caktimin e masës së arrestit me burg dhe rritja e transparencës përmes marrjes në pyetje të personave me audio dhe video.

“Është prekur kriteri i caktimit të masës arrest me burg, është prekur kriteri i caktimit i garancisë pasurore që është futur si detyrim që për mua është pak e ekzagjeruar. Nuk mund të vendosësh garancinë pasurore në barazvleftësim nga arresti në burg në arrest shtëpie. Garancia pasurore kthehet në një lloj blerje lirie. Nëse bëhet e detyrueshme, favorizon trafikantët dhe të korruptuarit që kanë para dhe duket sikur e blen lirinë. Ky është elementi i parë që duhet rishikuar. Elementi i transparencës është marrja në pyetje audio dhe video. Të gjithë këta elementë janë të rëndësishëm për mënyrën si funksionon një proces i rregullt ligjor”, theksoi ai.

Kryeministri Edi Rama ka paraqitur ndryshimet në kodin e procedurave penale që rishikohet në një të pestën e tij. Ndër to paraburgimi do lejohet  vetëm kur vepra dënohet mbi 5 vite në qeli.

Madje gjykata do të duhet të vlerësojë dhe vendosjen e garancisë financiare. Në lidhje me provat prokuroria do të duhet të marrë specifikisht miratimin nga gjykata qoftë dhe në hapjen e telefonave. Nëse në medie do të dalin detaje nga dosja do vendosen dënime për magjistratët apo avokatët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos