Të mërkurën, irakianët festuan largimin e forcave amerikane pas më shumë se dy dekadash lufte, ndonëse kishte shqetësime se një vakum sigurie mund të rriste fuqinë e milicive të mbështetura nga Irani ose të krijonte mundësi për rikthimin e Shtetit Islamik.
Tërheqja e trupave të fundit, kryesisht nga një bazë ajrore në Erbil, në rajonin gjysmë-autonom kurd, shënon përfundimin e luftës më të madhe amerikane të shekullit, e cila solli shkatërrim dhe kaos të gjerë, nga të cilat Iraku ende nuk ka dalë plotësisht. Banorët e Irakut e konsiderojnë një fitore, shkruan A2.
“Kjo ditë është një fitore për irakianët në përgjithësi, e veçanërisht për rezistencën irakiane. Falë gjakut të dëshmorëve dhe bijve të këtij atdheu, forcat pushtuese u dëbuan nga Iraku. Kjo është dita e fitores, një ditë e madhe fitoreje për Irakun, e cila do të mbetet në histori”, thotë një banor.
Teherani dhe aleatët e tij e përshëndetën tërheqjen si një fitore në fushatën e tyre për të larguar forcat amerikane nga Lindja e Mesme. Trupat irakiane parakaluan me automjete nëpër rrugët e Bagdadit dhe të qytetit të shenjtë shiit, Nexhaf, për të shënuar këtë tërheqje. Marrëveshja për tërheqjen u arrit në vitin 2024 nën drejtimin e ish-presidentit amerikan Joe Biden dhe u zbatua nga administrata e Donald Trump-it, pikërisht ndërsa ajo zhvillon luftë kundër Iranit fqinj.
“Ky tubim masiv i sotëm i "Boshtit të Rezistencës" në rajon zhvillohet me rastin e tërheqjes së forcave amerikane nga Iraku më 30 shtator 2026. Shpresojmë se kjo ditë do të shënojë një faqe të re në historinë e ndritur të Irakut: një Irak pa pushtim, një Irak pa amerikanë, një Irak pa diktate të huaja”, tha Sheikh Saad al-Maliki.
Forcat amerikane pushtuan Irakun në vitin 2003 për të rrëzuar diktatorin Saddam Hussein, duke shkaktuar vite trazirash dhe kaosi. Amerikanët u larguan fillimisht në fund të vitit 2011, por u kthyen më pak se tre vjet më vonë për të ndihmuar forcat irakiane, pasi luftëtarët e Shtetit Islamik pushtuan një të tretën e Irakut dhe vendosën një sundim të dhunshëm. Më shumë se 4,500 trupa amerikane humbën jetën në Irak, rreth dyfishi i numrit të viktimave në luftën paralele në Afganistan.
Pentagoni njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e koalicionit përfunduan zyrtarisht "Operacionin Inherent Resolve" dhe se Uashingtoni do të vazhdojë të ofrojë trajnim të synuar dhe mbështetje me informacione të inteligjencës për partnerët irakianë. Pritet që irakianët të udhëheqin përpjekjet për të garantuar sigurinë e vendit – i cili është aleat si i Uashingtonit ashtu edhe i Teheranit – dhe për të mbajtur nën kontroll mbetjet e Shtetit Islamik. (A2 Televizion)