Një shembull i mirë nga qyteza e vogël, ka edhe nga këta të rinj

Nga Gazmend Janku dhe Belinda Ruçaj
26 Nëntor 2024, 15:00 | Kronikë

Orest Braha, 16 vjeç, nga qyteti i vogël i Cërrikut, ndjek shkollën e mesme profesionale bujqësore. Ndryshe nga shumica e bashkëmoshatarëve të tij, jo vetëm në Cërrik, por në mbarë vendin, të cilët, pa u angazhuar, ëndërrojnë një jetë luksi, Oresti është me këmbë në tokë.

Atë kënaqësi që ka filluar ta marrë nga prodhimet modeste, siç i quan ai, synon ta rrisë nëpërmjet formimit që po merr në këtë shkollë. “Kjo degë më pëlqen shumë. Më është sugjeruar edhe nga të afërmit e mi sepse në të ardhmen do të më ndihmojë shumë që të kem një sigurim jetese sa më të mirë dhe njohuri më shumë. Familja ime ka tokë të cilën e kultivojmë me gjëra modeste dhe jam shumë i kënaqur me atë prodhim që e kemi, edhe pse i vogël”, thotë ai.

Edhe pse e njeh shumë mirë teknologjinë, Oresti pas shkolle punon në mënyrë që të mos u bëhet barrë prindërve të tij. Ndërsa i pyetur nëse i pëlqen jeta e luksit që tërheq shumicën e të rinjve në rrjetet sociale, shprehet se është modest, transmeton A2.

“Jetën e luksit e adhurojnë të rinjtë, por unë jam modest. Pasi përfundimit të studimeve nisem për punë në mënyrë që mos i rëndoj prindërit. Shpenzimet e mia i mbuloj vet”, thotë ai.

Në fund, Oresti ka edhe një mesazh për bashkëmoshatarët, edhe pse, siç thotë ai, secili ka mendjen e tij. “Të fokusohen te talenti, puna dhe studimet, të mos ofendohen me njëri-tjetrin në rrjetet sociale”, thotë ai.

Një shembull pozitiv, që vjen nga një qytet i vogël, ku një pjesë e të rinjve, të nxitur edhe nga familja dhe të afërmit, po marrin një profil për t’u bërë dikush në jetë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos