Një 57-vjeçar në Fier ka rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se mbrëmjen e djeshme aksidentoi për vdekje një 61-vjeçare dhe e la në rrugë, duke u larguar menjëherë nga vendngjarja.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se gruaja që mbeti viktimë u konstatua nga shërbimet e Policisë pas aksidentit në anë të rrugës, u transportua në spital, por nuk i mbijetoi dot plagëve të marra.
Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
“Fier-Rreth orës 17:20, në aksin rrugor ‘Fier-Lushnjë’, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një shtetase të dëmtuar, dyshohet si pasojë e një aksidenti rrugor, anës rrugës, e cila u transportua me ambulancë në spitalin rajonal të Fierit. Shtetasja ende e paidentifikuar si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetases dhe të automjetit që ka shkaktuar përplasjen me pasojë vdekjen e shtetases ende të paidentifikuar”, thuhej në njoftimin e djeshëm të Policisë.
“Fier-Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një shtetase që humbi jetën në spital, për shkak të dëmtimeve të marra nga një aksident në aksin rrugor "Fier-Lushnjë", informojmë se specialistët e Policisë Rrugore të DVP Fier arrestuan shtetasin Sh. H., 57 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se me automjetin që drejtonte, ka përplasur shtetasen A. T., 61 vjeçe, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë. (A2 Televizion)