Nuk ndalet dhuna në familje, 5 të arrestuar në pak orë

Nga A2 CNN
10 Shtator 2024, 13:33 | Kronikë

Nuk ndalet dhuna në familje, 5 të arrestuar në pak orë

Dhuna në familje është një nga fenomenet më shqetësues në shoqërinë shqiptare. Thuajse çdo ditë, policia raporton për ngjarje të rënda.

Në raportimet e policisë këtë të martë, bëhet e ditur se janë vënë në pranga 5 persona për dhunë në familje. Rasti më i rëndë ka ndodhur në Korçë, ku djali ka goditur me thikë në këmbë babanë e tij, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë, dy persona janë vënë në pranga në kryeqytet. Për dhunë ndaj bashkëshortes së tij është arrestuar shtetasi me iniciale B. M., 69 vjeç, shkruan A2. “Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin B. M., 69 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij”.

Personat e dhunshëm nuk kanë kursyer as vëllezërit e prindërit e tyre. Shtetasi me iniciale L. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtuar dhunë ndaj vëllait të tij. Në Belsh të Elbasanit pas hekurave ka përfunduar një 51 vjeçar pasi ka dhunuar prindërit e tij. Po në Elbasan, policia ka arrestuar edhe një 43-vjeçar, i cili ka dhunuar bashkëshorten. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos