
Autoritetet ligjzbatuese në Korçë kanë finalizuar një nga hetimet më të gjata dhe më të ndërlikuara të vitit, operacionin policor të koduar “Green Code”, i zhvilluar nga Sektori i Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës. Pas 18 muajsh ndjekje me metoda speciale të hetimit, janë vënë nën hetim dhe pezulluar një grup zyrtarësh të përfshirë në falsifikime dhe korrupsion, që lidhen me verifikimet në fermat përfituese nga skema kombëtare e mbështetjes për fermerët.
Sipas Policisë së Shtetit, dy inspektorë të AZHBR-së dhe gjashtë veterinerë të Drejtorisë së Bujqësisë Pogradec dyshohet se kanë pasqyruar të dhëna të rreme në aktet zyrtare të kontrollit, duke krijuar përfitime të paligjshme dhe duke shkaktuar dëm financiar buxhetit të shtetit. Zyrtarët, sipas hetimit, nuk kryenin kontrollet në terren për gjendjen faktike të bagëtive dhe merrnin shuma që varionin nga 10 000 deri në 50 000 lekë për të favorizuar përfitues të ndryshëm.
Në kuadër të operacionit janë pezulluar nga detyra për korrupsion pasiv dhe falsifikim dokumentesh:
Andrea Miha, 33 vjeç, inspektor i AZHBR
Juljan Zgura, 36 vjeç, inspektor i AZHBR
Dritan Çela, 57 vjeç, veteriner në Drejtorinë e Bujqësisë Pogradec
Fatos Ibi, 54 vjeç, veteriner në Drejtorinë e Bujqësisë Pogradec
Për falsifikim dokumentesh janë proceduar edhe:
Entela Gjata, 56 vjeçe, veterinerе kontrolli, Pogradec
Përparim Rustemi, 66 vjeç, veteriner shërbimi
Bruno Berberi, 28 vjeç, veteriner shërbimi
Endri Fehrati, 33 vjeç, veteriner shërbimi
Ndërsa është shpallur në kërkim:
Alfred Bakalli, 48 vjeç, inspektor i AZHBR-së, i dyshuar për korrupsion pasiv dhe falsifikim dokumentesh.
Hetimet tregojnë se grupi dyshohet të ketë krijuar një skemë të mirëorganizuar, ku kontrollet zyrtare në fermat përfituese kryheshin vetëm në letra, duke lejuar abuzime me fondet shtetërore. Prokuroria e Korçës ka marrë në dorë materialet procedurale, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe ndëshkimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. (A2 Televizion)