Operacioni i kriptomonedhave, 6 nga të arrestuarit pronarë pikash këmbimi valutor

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2024, 12:49 | Kronikë

Operacioni i kriptomonedhave, 6 nga të arrestuarit pronarë pikash

Detaje të reja dalin në dritë nga operacioni i Policisë së Shtetit për kriptovalutat. Sipas burimeve të A2 CNN, operacioni është bërë me agjentë policie të infiltruar. Të arrestuarit reklamonin në rrjetet sociale se bënin shkëmbim me kriptomonedha.

Mësohet se 6 prej të arrestuarve janë pronarë pikash këmbimi valutor, që thyenin kriptomonedhat në ambientet e tyre. Ndërsa personat e tjerë janë bashkëpunëtorët e tyre, ose individë që e reklamonin një veprimtari të tillë në rrjetet sociale.

Policia tha se operacioni ishte organizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër.

Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash.

Operacioni është në vijim. Në përfundim të tij, Policia e Shtetit do të japë njoftim të detajuar për median dhe qytetarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos