Ministrja e Shëndetësisë ka shkarkuar nga detyra mjekët e spitalit të Onkologjikut pas përgjimeve të publikuara, që tregojnë sesi ata përfitonin para nga pacientët e këtij shërbimi.
Pas një mbledhjeje disa-orëshe në QSUT, ministrja Koçiu u ka komunikuar mjekëve largimin nga detyra. Burime bëjnë të ditur se do të ketë edhe të tjera largime.
“Ngjarja e sotme të krijon një neveri të madhe, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish e kur flasim për punonjësit e shëndetësisë që misionin e tyre kryesor kanë humanizmin... Personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit,” deklaroi ndër të tjera ministrja Albana Koçiu pas mbledhjes në drejtorinë e QSUT-Së.
NGJARJA
Mjekë në spitalin “Nënë Tereza” kanë shkelur me dy këmbë betimin e Hipokratit dhe kanë zgjedhur që t’u mos u japin shërbim qytetarëve në shtet, por i orientonin drejt spitaleve pritave, aty dhe ku punonin. Hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka përfunduar me 8 masa sigurie "arrest shtëpie” dhe "detyrim paraqitje" për mjekë të spitalit onkologjik, të firmosura nga Gjykata në kryeqytet.
Referuar burimeve zyrtare, këtë mjekë, gjatë kohës që kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror "Nënë Tereza", kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin.
Gjithashtu, ajo që është po aq e rëndë, është se në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Për fat të mir, gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar.
Në kuadër të këtyre hetimeve, janë ushtruar kontrolle edhe në disa farmaci ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore.
Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë
- “Arrest në shtëpi” për shtetasin E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës”;
- "Arrest në shtëpi” për shtetasin F. M., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe "Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë";
- "Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore", për shtetasin E. L., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës";
- "Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore", për shtetasen A. Y. (P)., 53 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës";
- "Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore", për shtetasen B. Q., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës";
- "Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore", për shtetasin H. G., banues në Tiranë, për veprën penale "Fshehja e të ardhurave";
- Për shtetasen D. K., për të cilën është caktuar masa e sigurisë "Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore", nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal, pasi ajo rezulton jashtë RSh-së. (A2 Televizion)