SPAK përfundoi të enjten leximin e akt-akuzës në procesin gjyqësor paraprak ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe të bashkëpandehurve.
Parashtrimet e prokurorëve, të nisur disa seanca me parë, u ndërprenë disa herë nga avokatët e të pandehurve, që kanë pretenduar keqintepretim të fakteve nga SPAK. Monika Kryemadhi, e pandehur në çëshje, krahasoi procesin me programin televiziv ku merr pjesë, ndërsa tregoi se si do ta bënte mbrojtjen në gjyq.
“Big Brother në versionin e SPAK. Mbaroi prokurori relacionin. Me thënë të drejtën, kishte përsëritje të të njëjtave gjëra, disa gjëra disa herë. I vetmi qëllim ka qenë të shtohet volumi i faqeve. Më në fund, na u dorëzua lista e provave. Lista e provave është prej 40 e ca faqesh. Pjesë e tyre janë intervista, shkrime gazete. Edhe në kohën e diktaturës, intervistat e gazetave nuk quheshin prova. Thirrej intervistuesi dhe i merrej dëshmia në formën e provës”, tha Kryemadhi, shkruan A2.
Avokati i Metës i përligji debatet në sallën e gjyqit, për faktin se prokurorët janë të paqartë në akuzat e tyre.
Seanca e radhës ndaj ish-bashkëshortëve Meta-Kryemadhi, të cilët akuzohen nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim të parave” e “fshehje e mosdeklarim të pasurisë” dhe tre të bashkëpanehurve, do të zhvillohet më 12 shkurt. (A2 Televizion)