Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë ditën e sotme në fuqi masën e sigurisë për ish-kryeministrin, Sali Berisha, ndërsa dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit, i është lehtësuar masa e sigurimit, nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Detajet i dha për mediat pas përfundimit të seancës, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokuatj i cili u shpreh ndër të tjera, që nuk ka vend për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj kreut të “Rithemelit”, i cili duhet të paraqitet përpara policisë gjyqësore dy herë në muaj, si dhe i është ndaluar dalja jashtë Shqipërisë.
Mbrojtësi ligjor i Berishës përsëriti qëndrimin e mbajtur prej tyre qysh në fillim, se procesi është tërësisht i motivuar politikisht dhe se organet e reja të drejtësisë janë nën kontrollin e kreut të qeverisë Edi Rama.
Që kjo çështje është politike, u bëj me dije edhe faqen e kallëzimit, në të cilin keni edhe kallëzimin, edhe regjistrimin e procedimit brenda një dite. Është e pamundur që për çështje të tilla voluminoze, brenda një dite kalendarike pune të ndiqej kjo procedurë. Ne do të vazhdojmë betejën tonë ligjore. Gjykimi dje u karakterizua nga një gjuhë e drunjtë e Prokurorisë dhe një heshtje e gjykatësve, që sigurisht në atë pozicionin e vet, nuk kanë rol aktiv.
Ndërsa, i pyetur nëse Berisha do të paraqitet të hënën e parë të muajit dhjetor, Gjokutaj nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Ne kemi seancë tjetër të enjten për humbjen e fuqisë. Beteja do të jetë e gjatë, ne do të shfrytëzojmë të gjitha burimet tona.”
Kujtojmë se masa e sigurisë ndaj Jamarbër Malltezit, i cili akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, në bashkëpunim me biznesmenin Fatmir Bektashi në dosjen “Partizani” u ekzekutuan më 20 tetor.
Ndërsa, ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv. (A2 Televizion)