Dosja “Partizani”, Berisha: Gjykatësja mercenare! Avokatja ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës

Nga A2 CNN
27 Tetor 2023, 13:47 | Politikë

Një ditë pasi Shkalla e Parë e GJKKO la në fuqi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” ndaj Sali Berishës, ish-kryeministri ka hedhur akuza të forta në drejtim të gjyqtares së çështjes dhe avokates që iu caktua.

Vendimin për ta detyruar që të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji të shkojë në SPAK, Berisha e komentoi duke thënë se “mercenarja e Ramës po shkruan Kushtetutën në tavolinë”.

Gjykatësja me urdhër të Edi Ramës po kërkon të krijojë një precedent të tmerrshëm që nuk ka ndodhur kurrë. Të shkruajë Kushtetutën në tavolinën e saj. Ky është mercenarizëm ekstrem. Nuk shkruhet Kushtetuta. Kushtetuta zbatohet. Asnjë ligj, asnjë person, asgjë nuk mund të dalë mbi Kushtetutën”, tha Berisha në konferencën me gazetarët.

Për të përforcuar akuzat e tij në drejtim të Gjyqësorit dhe kryeministrit Rama, ai citoi edhe nenin 73, pika 2 të Kushtetuës, ku thuhet: “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës pa autorizimin e Kuvendit”.

Më tej, Berisha i propozoi rivalit të tij politik që të bashkojnë votat për të hequr nenin që mbron deputetët pasi janë të veshur me imunitet.

Po deshe ju lexoj nen tjetër, ky nuk është vetëm për deputetët, është për të gjithë qytetarët: Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shteti. Thotë neni 38, pika 2. Nëse ti pranon të rrëzojmë Kushtetutën, atëherë hajde të rrëzojmë Kushtetutën. Të rrëzojmë Kushtetutën, kjo nuk ndodh! Cili jam unë në këtë rast? Unë ofroj, e kam bërë në vitin 2012, që t’i krijoj çdo kusht gjykatësit dhe prokurorit, që të heqim këtë nen. Edi Rama e ka mbrojtur me çdo kusht. Tani përsëri, e vetmja ftesë dhe e fundit që kam për Edi Ramën, urdhëro të heqim këtë nen. Urdhëro të bëhemi të barabartë me qytetarët. Por këtë nuk e do ai, se ai do të shërbehet me mercenarë që i lejojnë vetes të shkruajnë Kushtetutën.

Sali Berisha

Një koment kreu i Rithemelimit e rezervoi edhe për avokaten Valentina Todoresku, e cila u caktua nga shteti për ta mbrojtur në gjyqin, ku akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me dosjen “Partizani”.

Urdhri i gjykatës është i paligjshëm. Ajo që më përfaqësoi mua aty, ishte fytyra e vërtetë e Edi Ramës dhe është e paligjshme. Nuk ka asnjë kërcënim”, deklaroi Berisha.

Sakaq, përzgjedhja e Todoreskut për të përfaqësuar Berishën shkaktoi bujë për shkak të disa postimeve në rrjetin social Facebook, ku avokatja shkruante se “Sali Berishës po i vjen ora e arrestimit”.

Yuri Kim ia kërkon hapur Arben Krajës: SPAK të veprojë tani”, shkruhej në postimin e 21 dhjetorit të vitit 2021. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos