Përveç 10 urdhër-arresteve për anëtarët e dy grupeve kriminale të trafikut të kanabisit, mes të cilëve edhe 4 zyrtarë policie, SPAK ka goditur edhe pasuritë e pajustifikuara të tyre. Të enjten SPAK njoftoi se një total prej 90pasurish të luajtshme e të paluajtshme janë vënë në masën e sekuestros, pas dyshimeve se janë të krijuara nga veprimtaria kriminale.
Mes pronave të bllokuara, listohen apartamente e vila në bregdet, dhjetëra hektarë sipërfaqe trualli e dhjetëra llogari bankare. Pasuritë e ngrira me vendim gjykata janë në pronësi të drejtpërdrejtë, ose të tërthortë të disa prej anëtarëve të dyshuar të grupeve kriminale, por edhe të shefave të policisë të dyshuar si të përfshirë në grup dhe ndodhen kryesisht në Sarandë, në bregdetin e Boshit, Dhërmiut, por edhe në Tiranë.
Më të numërta janë pasuritë direkte të Kristo Qiricit, i shpallur në kërkim si një nga drejtuesit e një grupi kriminal, Shkëlzen Kraja, i dyshuar si një nga personat e angazhuar në pastrimin e parave të grupit dhe Eldjan Allushaj, drejtues i grupit tjetër.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Qiricit i është sekuestruar ndër të tjera një hotel dhe njësi shërbimi, dyqane në Sarandë, por edhe sipërfaqe trualli. Shkëlzen Krajës i janë ngrirë mijëra sipërfaqe tokë arrë dhe truall në bregdetin e Borshit, por edhe dy kullota në Palasë me sipërfaqe 13 mijë dhe 17mijë m2.
Ndër të tjera, SPAK i ka “hequr nga duart” Krajës edhe dy vila në Dhërmi, njëra nga të cilat e konsideruar si vilë elitare. Në pasuritë e sekuestruara me kërkesë të SPAK ishin edhe një automjet “Mercedes” G-Class i vitit 2020, si edhe 37 llogari bankare.
Pasi SPAK lëshoi urdhrin e ekzekutimit të sekuestrove, Policia e Shtetit vuri në dijeni të gjitha agjencitë shtetërore të regjistrimit të pasurive të luajtshme e të paluajtshme dhe bankat e nivelit të dytë. Nga 10 urdhër-arrestet e miratuara nga Gjykata e Posaçme vetëm 3 prej tyre janë arrestuar, shefi i Krimeve të Himarës e ai i Lushnjës dhe një ish-efektiv i Operacionales. (A2 Televizion)