Pastrim parash e prona në Dhërmi, SPAK mbyll hetimin për 3 "biznesmenët" spanjollë

Nga Armand Bajrami
7 Korrik 2026, 16:44 | Kronikë

SPAK ka përfunduar hetimin ndaj tre shtetasve spanjollë, që në bashkëpunim me një shqiptare, dyshohet të kenë pastruar miliona euro përmes tre shoqërive fiktive në Shqipëri.

Përmes këtyre shoqërive të pandehurit kanë kryer manovra financiare nga qarkullimet në vlera të larta, kreditime bankare që tejkalonin faturat e lëshuara e deri tek blerja e trojeve në bregdetin e Dhërmiut.

Dosja penale ndaj katër të pandehurve është depozituar në Gjykatën e Posaçme, ku kërkohet gjykimi i tyre për “pastrim të parave”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave nga grupi kriminal”. Sipas hetimit të SPAK, tre shoqëritë janë regjistruar në Shqipëri në vitin 2024, në të njëjtën adresë, por pa zhvilluar veprimtari reale ekonomike.

Më tej, dyshohet se janë përdorur si mekanizma për të futur fonde me orgjinë kriminale për t’i qarkulluar e integruar në ekonominë e ligjshme. Një nga tre shoqëritë, të cilës nuk i përputhej aktiviteti i deklaruar me fuqinë e saj ekonomike, është evidentuar të ketë blerë pasuri të paluajtshme dhe automjete me vlerë të lartë.

“Një pjesë e fondeve janë përdorur për blerjen e dy pasurive të paluajtshme në zonën e Dhërmiut, me sipërfaqe totale 23.16 hektarë, kundrejt vlerës 1,621,200 euro”, njoftoi SPAK.

Sipas hetimit të ndihmuar edhe nga informacioni i ardhur nga autoritetet spanjolle, ku disa nga të pandehurit po hetohen për “mashtrim” ka rezultuar se rolin drejtues në grupin kriminal e kishte Domingo Iriarte, si administrator i tre shoqërive dhe orientues i qarkullimit të fondeve.

Të pandehurit Mihalea Manole dhe Alvaro Castillo dyshohet se kanë kontribuar formalisht për të krijuar pamje të ligjshme të dy prej shoqërive, ndërsa e pandehura Doris Pere, dyshohet se ka ndihmuar në funksionimin e skemës, duke kryer veprime administrative, bankare e organizative në Shqipëri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos