Pasuesi i Olsian Çelës, KLP hap garën për prokurorin e përgjithshëm

Nga Armand Bajrami
2 Korrik 2026, 19:20 | Kronikë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të hapë garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, që do të pasojë në këtë detyrë Olsian Çelën. Vendimi për “fillimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm” u miratua unanimisht nga anëtarët e Këshillit në mbledhjen e së enjtes.

Sipas ligjit mbi të cilin funksionon prokuroria, nga e premtja dhe për 30 ditët në vijim kandidatët e interesuar mund të shprehin interes, duke depozituar një kërkesë me shkrim në KLP, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Mes kritereve të kërkuara, kandidatët duhet të kenë ndër të tjera, 15 vite përvojë pune si juristë të spikatur, të jenë magjistratë, të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratë apo pozicione drejtuese në partitë politike, pasuri dhe figurë të pastër, të mos kenë qenë anëtarë, apo bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit para vitit 1990 dhe të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të asnjë shërbimi sekret.

Pas përfundimit të afatit për paraqitje të interesit, një komision i posaçëm, verifikon plotësimin e kushteve ligjore dhe vijon më pas me shqyrtimin e dokumentacionit, duke kërkuar raportim nga dhjetëra institucione shtetërore.

Pas ezaurimit të gjithë procedurës, KLP liston kandidatët dhe i paraqet Kuvendit të Republikës propozimin për të emëruar si Prokuror të Përgjithshëm tre kandidatët e renditur më lart në listë. Emri i Olsian Çelës iu dërgua Kuvendit në 14 nëntor 2019 nga KLP, për t’u votuar pasi ishte renditur i pari në listën prej tre pretendentesh që ishin Fatjona Memçaj dhe Arta Marku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos