“Pazaret” tek Onkologjiku. Pacientët pa trajtim, KLSH gjeti pajisjet e “harruara” në korridore

Nga Armand Bajrami
26 Qershor 2024, 17:29 | Kronikë

Autoritetet shtetërore në Shqipëri kanë pasur dijeni për problematika të theksuara në Spitalin Onkologjik, përpara hetimit të Prokurorisë së Tiranës. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit në fund të vitit të shkuar, ka evidentuar parregullsi, që nga mosvënia në punë e pajisjeve për kurimin e të sëmurëve me kancer, në vonesat me furnizimin me barna, e deri tek mungesa e shtretërve dhe papastëri në nivel risku potencial për infektime.

Kështu, nëse hetimi i Prokurorisë zbuloi mosvënien në funksion të pajisjes së Kobaltit, të instaluar në vitin 2021, auditi i KLSH ka vërejtur këtë pajisje që shihni në pamje. Aparati i Ortovoltazhit ka mbërritur tek Onkologjiku më 25 janar 2023 e deri në kohën e auditit të KLSH nuk është instaluar.

Sipas raportit, “mosvendosja në funksion e aparatit të Ortovoltazhit nga drejtoria e QSUT, për mungesë të ambiemteve, ka sjellë mostrajtimin e 200 pacientëve që vuajnë nga tumoret e lëkurës. Ndërkohë, pajisja ekzistuese e Ortovoltazhit ka qenë jo funksionale prej nëntorit 2022.

Në raport nënvizohet se jashtë funksionit ka qenë edhe pajisja e Brakiterapisë, duke sjellë mostrajtim për 600 gra paciente. “Mossigurimi i pajisjes mjekësore të Brankiterapisë, të disa elementëve (Tubusa, Pompa dhe Maska termo plastike), mos rehabilitimi i ambienteve për përshtatjen e vendosjes së pajisjes së Ortovoltazhit si dhe mostrajtimi në kohë i pacientëve që kanë nevojë për to, tregon se shërbimi i Spitalit Onkologjik në trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën në auditim nuk ka efektivitet të plotë, duke cenuar cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve”, lexohet në raportin e KLSH. 

Sipas të njëjtit raport, Onkologjiku e ka të pamundur të krijojë kushte shtrimit në spital për të gjithë pacientët në nevojë. Referuar të dhënave, në total, të shtruar janë trajtuar vetëm 9% të pacientëve, ndërsa 91% të tjerë e kanë marrë trajtimin pa u shtruar në spital.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos