Përleshje me thika në burgun grek, shqiptari vret bashkëkombësin 35-vjeçar

Nga A2 CNN
26 Qershor 2024, 15:41 | Kronikë

Një përleshje e ashpër mes dy të burgosurve shqiptarë në burgun e Korydallos në Greqi ka përfunduar me vdekjen e 35-vjeçarit Alfons Doci.

Sherri ka nisur në sektorin numër 4 të burgut të njohur grek ku vuajnë dënimin dhjetëra shqiptarë. Sipas medias helene Protothema, Doci është vrarë me thikë nga Altin Vokri, një shqiptar i Kosovës, i cili ka mbetur edhe vetë i plagosur gjatë përplasjes fizike. I plagosuri 46 vjeçar nuk rezulton të jetë në rrezik për jetën.

I burgosuri 35-vjeçar që ndërroi jetë vuante dënimin në Koydallos për dy vrasje. Ai kishte vrarë një biznesmen në Atikën Perëndimore në vitin 2017 gjatë një grabitjeje dhe pak më vonë një të moshuar, po ashtu gjatë një grabitjeje.

Në vitin 2018, gjatë transferimit në Kretë, ai u arratis nga trageti dhe u arrestua dy ditë më vonë në një shtëpi në Nea Filadelfia.

Ndërkohë, Altin Vokri rezulton i dënuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale të trafikut të drogës.

Policia e burgjeve ne Greqi ka nisur tashmë një hetim për mënyrën sesi u gjet thika e përdorur prej 46-vjevvarit në përleshjen e përgjakshme, si dhe për shkaqet që çuan në vrasjen e Alfons Docit. Nga raportet e para rezulton se të burgosurit kanë debatuar nëse do të hynin apo jo në qeli për shkak të vapës dhe përleshja u përshkallëzua. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos