Bajram Yzeiraj, ish-ministër i Rendit, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh me bindje të plotë se përdorimi i armëve nga Garda në 21 Janar ishte i paligjshëm.
“Më 21 janar po bëhen përpjekje të vazhdueshme për të thënë që Garda ka një ligj specifik, që ka zbatuar detyrën, që ka zbatuar ligjin. Unë ju them me kompetencë se përdorimin e armës nga punonjësi i policisë, nga punonjësi i Gardës, e kam dhënë mësim mbi 20 vjet dhe di mirë si i kanë ligjet në Perëndim për përdorimin e armës, rastet dhe kushti që është për çdo rast dhe procedurat që duhen ndjekur. Dhe ju them që nëse prokurorët bien në këtë ujdi që Garda ka zbatuar ligjin në përdorimin e armës, unë ju them 100% që nuk e ka zbatuar ligjin, sepse ligji në njërin krah të jep të drejtën e përdorimet si rast, por të vë kushte. Nëse do ta kishte përdorur Garda armën ndaj makinës që tentoi, nuk mund të parashikonte se çfarë kishte brenda, dinamit, armë e me radhë. Ishte momenti më ideal për të qëlluar me armë ndaj mjetit dhe drejtuesit që ta parandalonte. Pse? Se u sulmua direkt objekti. U fut brenda rrethimit. Gjithë përdorimi i armës nga Garda ka qenë i kundërligjshëm, qoftë dhe për të trembur. Nuk të autorizon ty ligji. Pse? Se atë territor e kishte Policia e Shtetit dhe Policia e Shtetit gaboi rëndë që e la territorin. Jemi në një territor dhe territorin për sigurinë publike e ka policia dhe ka ligjin për tubimet, kurse objektin e ka Garda”, tha Yzeiraj.
“Kush drejtoi për masat e sigurisë që të harmonizonte, koordinonte dy forcat e sigurisë, policinë dhe gardën? Si ka mundësi që policia ikën dhe nuk futen struktura të tjera të zëvendësojnë policinë, qoftë edhe formalisht, që ta mbajnë nën kontroll territorin. Ikja e policisë e emocionoi më keq shërbimin e Gardës, i cili ngeli vetëm edhe kur ra intensiteti i sulmit ndaj Gardës me individë të veçantë, me guralecë, me gjëra të tjera, Garda vazhdoi të qëllonte, derisa arriti fazën që s'e kontrollonte veten fare. Garda ka shkelur ligjin për përdorimin e armës. Lartësia që ishte grupi atje që rrinte tek dritaret e katit të parë të kryeministrisë rrinte me pozicion. Do të thotë në lartësinë e një trupi njeriu. Si ka mundësi ti gjykatës ta quash vrasje nga pakujdesia? Ajo është vrasje me dashje, po ti nuk di që do vrasësh Hasanin apo Bajramin. Ti do të vrasësh nga ata tubues që po të sulmojnë ty. Po s'ka rëndësi emri i personit që kërkon të vrasësh, që ta kualifikosh ti vrasje me dashje. Është me dashje, është e vullnetshme, është me dëshirë. Nuk është një zbrazje e armë nga pakujdesia. Tentativa që bëhet për të mbrojtur tezën se e kanë përdorur armën në mënyrë të ligjshme se kanë një ligj, nuk qëndron. I kanë shkelur të tëra rastet, kushtet dhe rregullat e procedurat e përdorimit të armës. S'kishin pse ta përdornin armën fare ndaj demonstruesve. Ishte përgjegjëse policia. Ky ministri i Brendshëm, ku ishte? Çfarë bënte ky? Finte gjumë? Ti dëgjove të raportojnë që po qëllohet me armë. Atëherë, minimalja do urdhërosh të ndalojnë. Edhe pse nuk është direkt përgjegjës për të drejtuar operacionet. Atje ishte fat i madh që u vranë katër. Edhe ata 137 do ishin të shtrirë të tërë, ishte rastësi. Pse? Se ishin vrasje që s'kontrollonin fare ata për armët se ku do shtinin”, shtoi Yzeiraj.
(A2 Televizion)
