Në studion e “Off thë Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN u risollën në vëmendje ngjarjet e 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, 4 protestues. Ish- prokurori Ervin Karanxha rrëfeu se ka sekuestruar armët e grupit të zjarrit dhe ka mbledhur shumë gëzhoja në vendngjarje.
“Ditën e ngjarjes unë kam qenë prokuror që bëra veprimet e para hetimore, jemi ndarë më sektorë bënë këqyrjen. Pati një prononcim publik të ish-ministrit të ndjerë Olldashi që një Mercedez Benz ka patur lëndë plasëse, bëmë këqyrjen dhe rezultoi që nuk kishte lëndë plasëse, por lëndë drusore. Nuk kishte lidhje fare. Mora detyrën që të merrja armët e grupit të zjarrit. Ishte një vendim sekuestro. Shkuam te komando e gardës”, u shpreh ai në “Off thë Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas ish-prokurorit Karanxha probleme ka patur me urdhrat e ndalimit.
“Vepra penale e vrasjes ka ndodhur me fishekë të kalibrit 9. Ka patur dhe gëzhoja kallashnikovi 7.62. Një nga prokurorët që ishte te viktima na informoi se predhat e gjetura janë të kalibrit 9. Ne kemi qenë shumë korrekt dhe pjesa më e madhe e gëzhojave janë gjetur. Armët e pjesëtarëve të grupit të zjarrit janë gjetur. Probleme ka pasur me urdhrat e ndalimit, nuk ka pasur problem me marrjen e provave”.
Për ish-ministrin e Rendit Bajram Yzeiraj problemi në lidhje me këtë çështje qëndron në ndryshimin e akuzës në shkallët e gjyqësorit.
“Përplasja prokurori-gjykatë. Prokuroria me të metat e veta e ka çuar vrasje me dashje në rrethana cilësuese. Pse e ndryshoi sistemi gjyqësor shkallë të parë, apel, të lartë dhe cilat janë argumentet që e ktheu në vrasje nga pakujdesia”.
(A2 Televizion)
