Përfshirja tek vrasja e Fatbardh Licit, Apeli i Posaçëm lë në qeli të dashurën e Safet Bajrit

Nga Armand Bajrami
2 Prill 2025, 16:52 | Kronikë

Gjykata e Posaçme e Apelit  la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Eria Agon, vajzën e dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018 në Shkodër, krim për të cilin SPAK akuzon Safet e Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin.

Ago, që sipas hetimit ka qenë e dashura e Safet Bajrit (Rustemit), akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit”. Ajo dyshohet se pas vrasjes së Liçit ka larguar nga Shkodra, Astmer Bilalin, përmes një mjeti “Mercedes” që është fiksuar nga kamerat e sigurisë në qytetin e Shkodrës.

Në Apel Ago kërkoi zbutje të masës së sigurisë, por gjyqtarja e posaçme Tereza Merkaj vlerësoi se nuk kishte ndryshuar asnjë kusht ligjor, që mund të çonte në ndryshimin e masës së sigurisë.

Eria Ago, e njohur si modele dhe një fituese e një konkursi bukurie, u arrestua pak ditë pas prangosjes së Safet Bajrit.

Nga hetimi i SPAK për rastin ka rezultuar se mëngjesin e ditës së vrasjes së Fatbardh Liçit, Eria Ago ka udhëtuar nga Tirana drejt Shkodrës në shoqërinë e Safet Bajrit dhe Astmer Bilalit.

Në Shkodër Bajri e Bilali kanë përdorur një automjet tjetër “Mercedes” të vjedhur e të modifikuar për të shkuar tek lokali ku ndodhej Lici, e hapur zjarr drejt tij, mjet që më pas është djegur në Dobraç. Sipas SPAK, Safet Rustemi (Bajri) ka qëndruar në Shkodër, ndërsa Astmer Bilali është larguar drejt Tiranës bashkë me Eria Agon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos