Pistoleta e armë të ftohta, arrestohen në Rinas “furnitorët” e grupeve kriminale

Nga A2 CNN
9 Maj 2025, 09:13 | Kronikë

Dy të rinj janë arrestuar nga policia në aksin rrugor “Qafë Kashar-Rinas”, pasi në automjetin me të cilin lëviznin janë gjetur 4 pistoleta dhe 3 armë të ftohta.

Sipas policisë Arbër Hasa (19 vjeç) dhe Joldi Peca (20 vjeç) vepronin si furnizues të grupeve kriminale me armë zjarri, të cilat modifikoheshin me silenciatorë.

“Si rezultat i një hetimi dymujor, me metoda proaktive, të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Vorë dhe të ndjekur në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u finalizua në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Forcën e Posaçme Operacionale, operacioni “Silent”. Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë, teksa lëviznin me automjet në aksin rrugor “Qafë Kashar-Rinas”, shtetasit A. H., 19 vjeç dhe J. P., 20 vjeç, të dy banues në Vorë. Atyre iu gjetën 4 armë zjarri pistoleta, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, pas modifikimit me silenciatorë. Në momentin e arrestimit, në automjet u gjet dhe 1 mjet prerës (thikë)”, njofton policia.

Po ashtu në kuadër të këtij operacioni, u krye kontroll në banesën e shokut të të arrestuarve, 49-vjeçarit me iniciale G. Sh..

“Në këtë ambient u gjetën 1 dorezë metalike dhe 1 shkop gome. Për posedim të kundërligjshëm të këtyre sendeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për këtë shtetas, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’”, sqaron policia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos