“Zbehet” parajsa e Dubait, arrestohen tre përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çela

Nga Xhensila Kodra
8 Maj 2025, 14:48 | Kronikë

Duket se Dubai nuk është më streha e sigurt e bosëve shqiptarë të krimit. Tre përkrahës të të shumëkërkuarit Talo Çela arrestohen në Emiratet e Bashkuara Arabe, shkruan A2.

Në pranga janë vënë Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika. Ata janë të akuzuar në dosjen Revanshi për vepra të rënda penale, për vrasje, tentativë vrasje, sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje, si dhe kanë ndihmuar Talo Çelën që t’i fshihej policisë.

Për 38-vjeçarin Daka, Gjykata e Posaçme ka caktuar arrest në burg në mungesë, pasi akuzohet se ka informuar autorët që kanë tentuar të vrasin Kei Pikun, në lidhje me lëvizjet e tij, si dhe ka siguruar kushtet dhe mjetet në vrasjen e Arjan Spahiut.

Edhe për 39-vjeçarin Maksim Koçi, Gjykata e Posaçme ka caktuar burg në mungesë. Ai akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e dy personave, njëri prej të cilëve është Klevis Kapllani. Koçi akuzohet po ashtu se ka siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e dy personave të tjerë.

Ndërsa 40-vjeçari Ado Xhika akuzohet për përkrahjen e autorit të krimit, pasi për rreth dy vite ka ndihmuar të shumëkërkuarin ndërkombëtarisht Talo Çelën që t’i fshihej drejtësisë dhe operacioneve policore që organizoheshin për arrestimin e tij.

Për tre të arrestuarit, autoritetet shqiptare janë duke bashkëpunuar me ato të Emirateve të Bashkuara Arabe që të ekstradohen në vendin tonë e të përballen me akuzat e ngritura ndaj tyre.

Muaj e fundit, nga Dubai në Shqipëri janë ekstraduar disa prej emrave të botës së krimit, si Florenc Çapja, Plaurent Dervishi dhe Julian Meçe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos