Vendimi i qeverisë, mbrojtje e veçantë për punonjësit e AMP-së që u rrezikohet jeta

Nga Xhensila Kodra
8 Maj 2025, 14:55 | Kronikë

Nëse një punonjësi të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që gjatë ushtrimit të detyrës ose për shkak të detyrës i kërcënohet jeta, familja dhe prona nga veprime të paligjshme të personave të tretë, do i sigurohet mbrojtje e veçantë.

Me propozim të Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, Këshilli i Mnistrave miratoi vendimin që u siguron këtyre punonjësve mbrojtje të veçantë nëse përballen me rrezik për shkak të detyrës.
Sipas vendimit, punonjësi i kërcënuar përfiton mbrojtje të veçantë nëse gjendja ku ai ndodhet kërkon kryerjen e veprimeve apo të marrjes së masave të menjëhershme, shkruan A2.

Ky punonjës do të ketë ruajtje dhe shoqërim fizik të tij, apo dhe të familjarëve, si dhe ruajtje të pronës. Mbrojtja e personit të kërcënuar bëhet me vendim të Komisionit për Vlerësimin e Kërcënimeve, komision i ngritur pranë AMP-së.

Kërkesa në këtë komision bëhet me shkrim dhe duhet të përmbajë të dhënat e plota të punonjësit, si dhe faktet e rrethanat që atij i rrezikohet jeta. Me marrjen e kërkesës, Komisioni duhet të dalë me një vendim brenda 10 ditësh, nëse një punonjësi i jepet apo jo mbrojtja e veçantë. E nëse po, në vendim duhet të përcaktohet mënyra dhe kohëzgjatja e mbrojtjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos