Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Borsh, Himarë, ku si pasojë e një konflikti fizik mbeti i plagosur një 33-vjeçar. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar dhe ka shpallur në kërkim një tjetër person të përfshirë në incident.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 02:20 të datës 31 korrik 2025, në një lokal në Borsh, 42-vjeçari H. Ç., banues në të njëjtin fshat, është përfshirë në një debat të çastit me shtetasin E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë. Konflikti ka degjeneruar në përplasje fizike, ku H. Ç. është goditur me grusht nga E. V.
Menjëherë pas ngjarjes, H. Ç. është larguar nga ambientet e lokalit dhe është rikthyer me një armë zjarri automatike, me të cilën ka qëlluar në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen” që drejtohej nga shtetasi E. Sh., 33 vjeç. Ky i fundit ka mbetur i plagosur në shpatull dhe në këmbë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, shkruan A2 CNN.
Gjithashtu, autori dyshohet se ka goditur me qytën e armës edhe shtetasin A. D., 43 vjeç. Ndaj të plagosurve janë dhënë ndihmat e para, ndërsa Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendngjarje.
Falë reagimit të shpejtë, shërbimet e Policisë së Vlorës arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar, H. Ç., i cili tashmë përballet me akuzat për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, si dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim edhe shtetasi E. V., i cili akuzohet për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”. (A2 Televizion)