Zjarret, qeveria shpall paketë mbështetëse për banorët e prekur, ministri Vengu: Shtojmë investimet për rinovimin e Flotës Ajrore dhe Tokësore

Nga A2 CNN
31 Korrik 2025, 15:50 | Kronikë

Zjarret, qeveria shpall paketë mbështetëse për banorët

Qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për banorët e zonave të prekura nga zjarret, për të kompensuar dëmet e shkaktuara në banesa, bujqësi apo blegtori.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, gjatë një takimi koordinues, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako, tha se në qendër të diskutimeve ishin: “vlerësimi i gatishmërisë operacionale për Emergjencat Civile dhe vlerësimi i dëmeve dhe përgjigjes që duhet të marrin banorët e prekur, veçanërisht në sektorin e blegtorisë”.

Ministri Vengu tha se: “Gjatë muajit korrik kemi pasur 59 zjarre masive dhe një mori zjarresh më të vogla në zonat e banuara apo rurale. Në total, mbi 29 mijë sipërfaqe hektarë e djegur”.

“Na rezulton që, qarqet më të prekura janë: Vlora me 17.500 ha, pasuar nga Dibra me 4.524 ha, Tirana 2.400 ha dhe Berati 1.500 ha. Pavarësisht se në të kaluarën mund të kemi pasur vite me më shumë sipërfaqe të djegura, rekordi historik për Shqipërinë është në vitin 2007 me 127 mijë hektarë të djegur. Deri në vitin 2024 sezonet verore kishin 6 zjarre në javë, ndërsa këtë vit ka pasur 13 zjarre në javë”, - tha ministri Vengu.

Ministri Vengu bëri me dije se në operacionet për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin janë angazhuar në total 14.200 forca, 2.000 mjete të specializuara dhe 63 operacione nga ajri, në të cilat janë përfshirë 4 helikopterë nga forcat shqiptare, dy nga forcat hungareze, dy Canadair nga Italia, dy nga Greqia dhe një nga Kroacia: “Nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë mjete ajrore në dispozicion dhe ne do të vijojmë të investojmë në rinovimin e Flotës Tokësore dhe Ajrore. Janë evituar fatkeqësitë në jetë njerëzish dhe dëmet e tjera. Na rezultojnë të prekura 12 banesa, 3 stane, një objekt kulti dhe një nënstacion energjie”, - sqaroi ministri i Mbrojtjes.

Vengu tha se bashkitë e prekura nga pasojat e zjarreve në vend duhet të vijojnë sa më shpejt me vlerësimin e dëmeve.

Nga ana e saj, ministrja e Bujqësisë Anila Denaj tha se: “Zjarret kanë shkaktuar dëme kryesisht në zonën e jugut të vendit, në Delvinë, në blegtori, bletari, por dhe në kullota, ndërsa jemi duke vlerësuar nevojën për ushqim për blegtorinë në të gjithë zonat e prekura nga zjarret”.

Ministrja bëri të ditur se, furnizimi me bazë ushqimore për blegtorinë, në zonën e prekur nga zjarret është mundësuar në kohë rekord.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se, Policia e Shtetit ka identifikuar dhe proceduar 120 persona si të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia. Sipas ministrit, 21 persona janë arrestuar.

Ministrat thanë se edhe muaji gusht do të jetë i vështirë, ndaj kërkuan vigjilencë dhe reagim të menjëhershëm nga strukturat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos