Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilrjan Selman, i dyshuar si autor i vrasjes së Kozeta Teços, ngjarje kjo e ndodhur tre ditë më parë në qytetin e Pogradecit.
Në seancën e masës së sigurisë 31-vjeçari ka mohuar kategorikisht të jetë autori i vrasjes së 52-vjeçares, madje ka mohuar kategorikisht faktin se ai ka bashkëjetuar me të.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe avokati, i cili i ka kërkuar gjykatës të mos marrë masë sigurie për 31-vjeçarin, pasi për asnjë moment prokuroria nuk arrin të provojë se Selman është autor i vrasjes.
Dy janë provat kryesore që prokuroria ka paraqitur për Gjykatën e Korçës: njollat e gjakut që janë gjetur në një palë pantallona të gjetura në një kazan mbetjesh urbane që ndodhen fare pranë banesës së viktimës dhe pamjet filmike, ku dallohet 31-vjeçari që hyn e del nga banesa. (A2 Televizion)