Pas disa seancash të dështuara, i penduari i tretë në dosjen e bujshme "Plumbi i Artë", Skerdi Tasi, ka dhënë këtë të martë dëshminë e tij para Gjykatës së Posaçme. Ai zbardhi detaje tronditëse për atentate të porositura në Fier, ku sipas tij ishte përfshirë së bashku me emra të njohur të botës së krimit.
Në dëshminë e tij, Tasi tha se ishte njohur me Henrik Hoxhajn në vitin 2017, përmes një shoku të përbashkët, që e identifikon si Viron Tavanxhi, i cili po ashtu rezulton të ketë qenë edhe porositësi i njërit prej atentateve.
"Henrikun e takova për herë të parë në vitin 2017. Viron Tavanxhi na njohu për të ekzekutuar një person në Fier. Henriku kishte të gjitha të dhënat e shënjestrës dhe një makinë ‘Alfa Romeo’, si dhe një armë automatike", deklaroi Tasi.
Sipas tij, viktima që synonin ishte Agim Boriçi, një emër i njohur në Fier. Tasi tregoi se ditën e atentatit, Hoxhaj e kishte njoftuar me urgjencë: "Henriku më tha se porositësi i kishte kërkuar llogari – ‘Shumë po e zgjasni atë punë’."
Ai shtoi se shënjestra ishte lokalizuar në një bar pranë rrethrrotullimit të parkut në Fier. "Mora armën dhe shkova atje. Kur më pa, ai bërtiti dhe u shtri përdhe. Mendova se e qëllova, por pastaj ika nëpër rrugicat e qytetit dhe hodha pistoletën në lumin Gjanicë", rrëfeu Tasi.
Ai konfirmoi gjithashtu se atentati ishte porositur nga Viron Tavanxhi dhe se tentativa ishte realizuar në vitin 2018, edhe pse përgatitjet kishin nisur një vit më herët.
Në vijim, Skerdi Tasi deklaroi se Hoxhaj kishte marrë përsipër edhe një tjetër atentat, ekzekutimin e Hajredin Beharit. Viktima, sipas tij, frekuentonte një lokal përballë shtëpisë dhe kishte një dyqan vajrash për makina.
Dëshmia e Tasit pritet të luajë një rol kyç në zbardhjen e veprimtarisë kriminale të rrjetit të përfshirë në dosjen “Plumbi i Artë”, një prej hetimeve më të mëdha të organizuar nga SPAK kundër krimit të organizuar në vend. (A2 Televizion)