Po fuste mallra kontrabandë, arrestohet turku në Kapshticë

Nga A2 CNN
16 Tetor 2024, 14:41 | Kronikë

Një operacion i suksesshëm i Policisë Kufitare në pikën e kalimit kufitar në Kapshticë ka rezultuar në arrestimin e një shtetasi turk, N. S., 41 vjeç, i cili u kap në flagrancë duke tentuar të kontrabandonte mallra të ndryshme në Shqipëri, shkruan A2 CNN.

Mallrat u gjetën gjatë një kontrolli të detajuar të autobusit që ai drejtonte, ku specialistët e Hetimit të Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë në Korçë i zbuluan të fshehura në bagazh.

Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën një sërë mallrash që N. S. po përpiqej t’i kalonte pa i deklaruar sipas ligjeve në fuqi.

Pas përfundimit të veprimeve procedurale, N. S. u arrestua për veprën penale "Kontrabanda me mallra të tjera". Mallrat e sekuestruara janë marrë si prova materiale dhe do t’i kalohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos