Arratiset nga burgu i Shënkollit në Lezhë, i dënuari për dhunë në familje, Daut Laze. 49-vjeçari nga Çorovoda, por me banim në Tiranë ndodhej i shtruar në dhomën e mjekimeve dhe në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte u arratis prej andej duke kapërcyer murin. Mungesa e tij në dhomë u vu re gjatë ndërtimit të turneve dhe kryerjes së apelit.
“Ne shkuam në shtëpinë e Daut Lazes dhe ëma na tha se lajmin që i biri ishte arratisur e mori vesh nga oficeri i policisë që i kishte kontrolluar pas arratisjes së tij. Sipas nënës dhuna që ushtronte Dauti nuk ishte fizike, por kërkonte t’i detyronte të praktikonin fenë”, raportoi gazetarja e A2 CNN Xhensila Kodra.
Ai u arrestua më 16 nëntor të vitin 2021 për dhunë në familje, nga një denoncim që ëma thotë se nuk ka ardhur prej tyre. Më 4 nëntor të vitit që shkoi Gjykata e Tiranës vendosi për të “Mjekim të detyruar në një institucion spitalor”. Këtë dënim po e vuante në burgun e Shënkollit, aty ku u zhvendosën të gjithë të dënuarit me probleme të shëndetit mendor pas mbylljes së burgut të Zaharisë për kushte çnjerëzore.
Policia e quan Daut Lazen person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe u bëri apel qytetarëve që të lajmërojnë forcat e rendit për çdo informacion që mund të mësojnë për vendndodhjen e tij. Shuma e shpërblimit në këmbim do të jetë 10 mijë euro. (A2 Televizion)