Policia e filmon duke "vjelë" kanabisin, arrestohet 49-vjeçari në Skrapar

Nga A2 CNN
22 Tetor 2024, 15:38 | Kronikë

Policia ka arrestuar një 49-vjeçar i cili është filmuar teksa pret kanabisin e mbjellë. Policia tha se në pranga ra shtetasi D.M., banues në fshatin Nikollarë, Skrapar, raporton A2 CNN.

“Si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të kryer për 4 muaj, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, për sigurimin e provave për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Miçan, Komisariati i Policisë Përmet, në bashkëpunim me Sektorin Operacional për Përgjimet Ambentale e DVP Gjirokastër, finalizuan operacionin policor të koduar "Miçan". Gjatë operacionit u kap në flagrancë, duke prerë bimët narkotike që kishte kultivuar në vendin e quajtur "Fundi i Dërrasës", shtetasi D. M., 49 vjeç, banues në fshatin Nikollarë, Skrapar”, tha policia.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u asgjësuan nëpërmjet djegies, 43 bimët narkotike që kishte kultivuar ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos