Një operacion po zhvillohet nga Policia e Shtetit, me urdhër të SPAK-ut. Burime bëjnë me dije se janë lëshuar më shumë se 10 urdhër-arreste për krim të organizuar dhe bëhet për operacionin që po zhvillohet kryesisht në Lezhë, Fushë Krujë, Nikël, Kurbin, përfshirë edhe Tiranën.
Për llogari të operacionit të ndërmarrë, mëngjesin e sotëm, po ekzekutohen mbi 10 masa sigurimi "arrest në burg" në Tiranë, ndërsa në total janë 43 urdhër-arreste. Mes urdhër-arresteve janë edhe personazhe të njohura të botës së krimit.
Forcat e Policisë së Shtetit, të mbështetura nga RENEA dhe FNSH-ja kanë kryer kontrolle në banesa të anëtarëve të fisit Abdulaj në Shijak dhe familjes Bami në Fushë-Krujë.
Ndërkohë, kontrolle ka pasur edhe në qytetin e Vlorës, të cilat kanë nisur që prej orës 04:00 të mëngjesit dhe janë kontrolluar banesa për persona që janë në kërkim ose me precedentë.
Deri më tani, mësohet se janë kontrolluar dy banesa, por nuk janë gjetur personat për të cilin kishin masën e sigurisë. Deri më tani, nuk ka persona të arrestuar. Mësohet se edhe në Vlorë ka pasur urdhër-arreste për ekzekutim, por nuk janë konkretizuar.
Policia e Vlorës dhe FNSH përgjatë mbrëmjes kanë kryer kontrolle në territor, teksa pjesë e kontrolleve janë edhe dy banesa të ndodhura përgjatë rrugës Transballkanike. Në brendësi të banesave nga kontrollet nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Nuk dihet ende se kujt i përkasin këto urdhër-arreste, sepse informacioni për momentin po mbahet i fshehtë. Dyshohet se në Vlorë aksioni mund të jetë edhe dekonspiruar ku personat, të cilët kanë qenë pjesë e hetimeve, arrestimeve mund të jenë lajmëruar edhe më parë. (A2 Televizion)