Gjykata e Posaçme la në fuqi masat e sigurisë "arrest në burg" të marra në mungesë ndaj ish-shefit të Komisariatit Nr. 6 në kryeqytet, Dedan Gjoni dhe bashkëpunëtorëve të tij, Dejvi Gjermeni e Rexhep Rapi (të dy ish-oficerë policie) dhe Algert Rapi, të katër të dyshuar për veprën penale të "sigurimit të kushteve për të kryer vrasje".
Katërshja në fjalë akuzohet se kanë bashkëpunuar për të kryer vrasjen e Xhevdet Plakut, i njohur në botën e krimit me nofkën “Akili”.
“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Plaku, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal”, është akuza që rëndon mbi ta, sipas policisë.
Sipas dosjes hetimore rezulton se Xhevdet Plaku, i njohur si koka e një grupi kriminal që trafikonte drogë në Amsterdam dhe përdorte 25 identitete të ndryshme, është thirrur nga Dedan Gjoni në komisariatin e Shijakut më 17 shtator 2019, me qëllimin për ta nxjerrë në pritë tek i forti i Shijakut Rexhep Rapi.
Ky i fundit u vu në pranga pas zbardhjes së komunikimeve në rrjetin telefonik “Sky ECC”, ndërsa bashkëpunëtori tjetër i tij, Dejvi Gjermeni u arrestua në Limburg të Holandës, pas bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe INTERPOL.
Edhe pse e planifikuar në detaje, pasi Gjoni kishte raportuar te autorët orën që do e lironte “Akilin” si dhe u ka nisur foto të tij kur ka dalë nga Komisariati, vrasja e Xhevdet Plakut mbeti në tentativë dhe nuk u realizua kurrë.
Dyshohet se Rapi e donte të vdekur Plakun, pasi ai ka qenë nën akuzë nga Gjykata e Savonës për vrasjen e Sali Rapit dhe plagosjen e Alfred Hasës, por u shpall i pafajshëm më pas. Sali Rapi u vra me dy plumba pistolete, armë që nuk u gjet kurrë.
Sakaq, ish-shefi i Komisariatit Nr.6, Dedan Gjoni, ndodhet në arrest me burg prej 20 nëntorit 2023, i akuzuar për sigurim e kushteve për të kryer një tjetër vrasje me grupin për të cilin pas hekurave përfundoi edhe Erzen Breçani.
Në këtë dosje ndaj tij rëndojnë edhe akuzat ‘trafik narkotikësh’, ‘pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal’, ‘kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, "sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje" dhe 'shpërdorimi i detyrës'. (A2 Televizion)