SPAK kërkon arrest në shtëpi për Berishën, GJKKO cakton datën e shqyrtimit të kërkesës

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2023, 12:20 | Kronikë



GJKKO ka caktuar datën 26 dhjetor, ora 10:00 për seancën e shqyrtimit të kërkesës së SPAK për Sali Berishën. Prokurorët kërkojnë arrest shtëpie për ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa seanca për zëvendësimin e masës pritet të zhvillohet javën e ardhshme.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 22.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal për personin nën hetim Sali Berisha, si i dyshuar për figurën e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Bazuar në nenin 260 pika 4 të K.Pr.Penale, seanca gjyqësore për shqyrtimin e kësaj kërkese do të zhvillohet më datë 26.12.2023 ora 10:00”, thuhet në njoftim.

Një ditë më parë Kuvendi autorizoi Prokurorinë e Posaçme për arrestimin e deputetit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen e Klubit Sportiv Partizani.

Kuvendi miratoi me 75 vota pro kërkesën e Prokurorisë së Posaçme mbi autorizimin për arrestimin e deputetit Sali Berisha përmes zëvendësimit të masës së sigurimit.

Ky vendim erdhi pasi ai nuk respektoi masën e mëparshme për detyrim paraqitje, duke e quajtur atë si antikushtetuese.

Autorizimi i Kuvendit u përcoll menjëherë në SPAK, ku prokurorët pritet të vendosin për masën e re të sigurisë ndaj Sali Berishës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos