Vendimi i drejtësisë greke, i publikuar nga ish-kryeministri, Sali Berisha, për dënimin me burg të gjyqtares së Posaçme, Irena Gjoka, në vitin 2005 është autentik. Prokuroria e Përgjithshme ka dalë në këtë përfundim pas verifikimit të thelluar të formularit të dekriminalizimit të gjyqtares.
Verifikimi ndaj gjyqtares që ka mbajtur edhe mbiemrat Shpata dhe Maneku nisën më 8 maj 2024, me kërkesë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas denoncimeve publike të ish-kryeministrit, Sali Berisha. Sipas liderit demokrat gjyqtarja Gjoka kishte falsifikuar formularin e dekriminalizimit të vitit 2016, për shkak se kishte fshehur një dënim fajësie ndaj saj, të dhënë nga gjykata e Janinës në Greqi. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme bënë me dije se nga verifikimi i kryer rezultoi se vendimi gjyqësor i Gjykatës së Athinës ndaj gjyqtares Gjoka ishte autentik. Po ashtu, është konstatuar se ka pasur një urdhër për mosekzekutimin e këtij vendimi, raporton A2 CNN.
Zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi se pas kryerjes së të gjitha verifikimeve brenda dhe jashtë vendit në 19 janar janë miratuar rezultatet e verifikimit dhe vendimi i është përcjellë po në këtë datë Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili është organi përgjegjës që do të vendosë nëse gjyqtarja e posaçme Gjoka ndodhet në kushte të ndalimeve ligjore të ushtrimit të detyrës.
Sipas vendimit gjyqësor grek të siguruar dhe publikuar nga Sali Berisha në maj 2024, Irena Gjoka ishte dënuar në vitin 2005 nga drejtësia greke me 3 muaj burg dhe 1500 euro gjobë për mbajtjen e një pasaporte të falsifikuar, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë në formularin e vetëdeklarimit, gjyqtarja Gjoka, në seksionin e të dhënave mbi gjendjen gjyqësore, gjyqtarja i është përgjigjur negativisht pyetjeve nëse ishte dënuar me burgim nga një autoritet i huaj ose shqiptar.
Paralelisht, SPAK po heton një kallëzim të bërë nga Berisha ndaj Gjokës për “falsifikimin e dokumenteve”.
Irena Gjoka është gjyqtarja që ka caktuar masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” e “ndalim të daljes nga vendimi” e më pas “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Berisha. Në Gjykatën e Posaçme në duart e saj është shqyrtimi paraprak i dosjes “Meta-Kryemadhi”, si edhe gjykimi i ish-ministrit, Fatmir Mediu. (A2 Televizion)