Një konflikt mes drejtuesve të dy automjeteve i ka marrë jetën një 57-vjeçari gjatë natës në aksin rrugor Thumanë–Krujë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Bushnesh, ku dyshohet se pas një përplasjeje mes makinave ka nisur edhe një konflikt fizik.
Si pasojë, 57-vjeçari Petrit Ndou, banues në Pukë, ka mbetur i plagosur rëndë në kokë dhe ka humbur jetën. Në vendin e ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë gjetur edhe një çekiç, i cili dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Sipas hetimeve paraprake, viktima dyshohet se është goditur në kokë me çekiç nga 28-vjeçari, Andi Vokrri, banues në Mamurras. Ky i fundit është arrestuar nga Policia, ndërsa janë marrë dëshmi edhe nga persona që kanë qenë dëshmitarë okularë të ngjarjes. Dëshmitare okulare në vendngjarje ka qenë bashkëshortja e viktimës, e cila ka rrëfyer të gjithë dinamikën dhe se bashkëshorti i saj Petrit Ndou u qëllua me çekiç nga i riu pasi ndaluan makinat.
Burime policore bëjnë me dije se autori i dyshuar ka qenë duke udhëtuar me automjet, së bashku me familjarë të tij. Autori dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Krujës, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)