
Policia e Tiranës ka njoftuar procedimin penal të 11 protestuesve, pasi në dy ditët e fundit të protestës, sipas bluve të kryeqytetit, kanë "penguar lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve".
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në lidhje me tubimet e zhvilluara më datat 22 dhe 23 qershor 2026, në Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar penalisht 11 shtetas, të dyshuar të përfshirë në veprime që cenojnë rendin dhe qetësinë publike.
Konkretisht, u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, shtetasit: D. G., 50 vjeç, I. D., 55 vjeç, E. E., 32 vjeç, E. B., 29 vjeç, V. D., 30 vjeç, E. Z., 26 vjeç, Xh. P., 27 vjeç, B. K., 36 vjeç, D. B., 32 vjeç, Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas kanë orientuar dhe zhvilluar tubimin në zona të ndryshme prej atyre të njoftuara zyrtarisht, konkretisht në: kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”; kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës; si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”.
Si pasojë, në këto akse me fluks të lartë lëvizjeje të automjeteve dhe qytetarëve, është penguar lëvizja e lirë e automjeteve dhe qytetarëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)