Puna e “padenjë” në Shqipëri, arsye kryesore për largimin e të rinjve

Nga Marinela Lina
8 Tetor 2024, 15:58 | Kronikë

“Unë kam qene vet në emigracion kam ikur me babanë. Për pjesën e pagës se po spate ekonomi më të mirë çfarë do hash e çfarë do pish”. Jonido Karaj është një prej të rinjve që shkolla profesionale nuk i dha mundësinë e një jetesë të mirë në vend dhe u largua. Arsyeja kryesore pse të rinjtë po zgjedhin ende largimin është mungesa e një pagë dinjitoze, por mbi të gjitha e kushteve dinjitoze të punës.

Këtë thotë edhe Jonido për A2 CNN. “Nuk respektohej të drejtat e punonjësve. I shkelin. Pagat duhet të rriten, punon në ndërtim me 15 mijë lekë dita. Çfarë të ardhurash mund të kenë njerëzit me këtë shumë në ditë.”

8 tetori është dita botërore e Punës së Denjë. E teksa një pjesë zgjedhin të largohen, të tjerë qytetarë që kanë vendosur të rrinë në atdhe e ndjejnë rrezikun e humbjes së vendit të punës nëse ankohen për të drejtat e tyre. “Është shumë vështirë të gjesh një punë, të gjesh e ta mbash se nuk gjen më. Patjetër që duhet të ketë vende pune vec në privat punojnë njerëzit se shteti nuk ofron”, thonë qytetarët për A2 CNN. “Pagesa e dobët në profesionin që mbarojnë. Nuk munden dot të hyjnë se duhet të paguash dicka në shtet.” “Po të rriten si në vendet europiane të rinjtë do kthehen këtu. Duhet të ketë edhe oferta më të mira pune”.

Sipas sindikatave të Pavarura, pikërisht frika për t’u ankuar qëndron si arsye kryesore pse nuk përmirësohet edhe cilësia e punës. Në simbolikë të ditës së Punës së Denjë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura ju drejtua institucioneve qeveritare me një listë ankesash. Puna e papaguar, deklarimi i pagës reale, pagesa e orëve shtesë, por dhe sigurimeve shoqërore e shëndetësore janë kushtet bazë që u kërkuan për punonjësit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos