5 orë para prokurorëve në SPAK, deputeti i PS “kyç gojën” në dalje

Nga A2 CNN
8 Tetor 2024, 15:42 | Kronikë

Rreth 5 orë ka zgjatur marrja në pyetje e deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja nga prokurorët e SPAK. Ai doli nga Prokuroia e Posaçme në orën 15:00, por refuzoi të ndalej që të prononcohej për gazetarët.

Ligjvënësi i PS për qarkun e Durrësit nuk ndau asnjë detaj mbi arsyen e pranisë në SPAK, përveç se ishte paraqitur si person në dijeni, raporton A2.

Por, A2 CNN mëson se Çyrbja u paraqit në organin e akuzës për të dhënë deklarime në lidhje me një kallëzim të bërë nga Edi Paloka, gjatë kohës që deputeti mbante pozicionin e kreut të Hipotekës së Durrës.

Drejtuesi politik i qarkut të Durrësit, Edi Paloka 3 vite më parë dërgoi Çyrbjan në SPAK, duke e akuzuar për “shpërdorim detyre”. Në atë kohë Paloka tha se Çyrbja akuzohet për mbivendosje prone, pasi brenda një dite ka firmosur dy praktika për të njëjtën pronë, shkruan A2.

“Çyrbja, ish-drejtor i Hipotekës Durrës, akuzohet për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone”, shprehej Paloka.

Në të njëjtën kohë, Paloka tha se disa ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë certifikata dhe legalizime, njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos